Në Shqipëri zhvillohen dy kampionate, një midis skuadrave që drejtohen nga trajnerët në pankina dhe një tjetër i trajnerëve që ndeshen ashpër në faqet e gazetave. Një javë më parë, Shpëtim Duro tha publikisht, se Starova është shumë më i aftë se Agostineli,madje ndoshta më i miri në vend. Ndërsa pas barazimit të Partizanit, u shfaq vetë shumë më i aftë se Sula, duke thënë që trajneri i të kuqve gaboi duke luajtur me pesë mbrojtës, pasi nëse do të luhej sipas skemave të tij, Partizani do ta kishte shumë të thjeshtë fitoren.
Ndërkohë Starova i ilustron idetë e tij, si replikë po në faqet e gazetave, me Juventusin që luan me po aq mbrojtës, por që po bën namin në Seria A. Pra në fund një debat i kotë, si të gjithë të tjerët më parë, që nëse nuk ndërpritet ka tendenca të degjenerojë në nivel banal, kur miqtë e vjetër u ndanë si armiq të betuar.