Lëvizja e Orges Shehit brenda kryeqytetit është lajmi më i madh i fundvitit futbollistik në Shqipëri dhe ka një arsye për këtë pasi bëhet fjalë për një nga trajnerët më të suksesshëm të viteve të fundit që vendos të “tradhëtojë” klubin e vjetër për “armiqtë” e krahut tjetër të qytetit. Por kush humbet e kush fiton nga e gjithë kjo telenovelë që duket se përfundoi me fundin e lumtur për Shehin por jo për Tiranën?
Partizani me një lëvizje të shpejtë riktheu Abilaliajn në postin e drejtorit sportiv duke rikthyer gjithashtu edhe normalitetin në hierarkitë e klubit, ndërsa ish-portieri që e ka veshur fanellën e Partizanit edhe si lojtar, nis një aventurë e re. Shehi nuk është trajner i suksesshëm vetëm prej faktit se riktheu titullin në kryeqytet por më shumë se kaq, ai arriti që një ambjent të trazuar ta transformonte në një oaz të pazakontë në një ambjent të shkretë me qindra probleme, duke nisur që nga ato financiare dhe deri tek ato aportive. Orgesi riktheu buzëqeshjen e madje edhe Tiranën që tifozët kanë dashur përherë për shkak të AND-së së saj jo vetëm me rezultatet por edhe me lojën e bukur. Aq i dukshëm ishte suksesi i Shehit sa me mjeshtëri kamufloi edhe problemet që zienin në brendësi të klubit dhe skuadrës duke e larguar edhe shënjestrën “Halili” nga tifozët që prej vitesh e kontestojnë por në mënyrë të pabesueshme hoqën dorë nga akuzat gjatë periudhës së “mbretërimit” të Shehit. Parë nga ky këndvështrim, Shhi bëri një punë të jashtëzakonshme por nga larg dhe pak me më shumë ftohtësi, duhet gjykuar që tekniku durrsak bëri punën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme. Në këtë optikë, ai u largua në mënyrën më të keqe të mundshme e madje edhe me një sulm verbal nga vetë presidenti që duhet ta kishte kursyer qëndrimin e veprimet e tij agresive ndaj teknikut që e rikeu Tiranën në shinat e normalitetit.
Nga Pirro Bardhyli