Policia e Shtetit ka angazhuar 16 punonjës të kualifikuar për aktivitete masive, për t’u kujdesur për sigurinë e Kombëtares shqiptare në Gjermani, gjatë zhvillimit të finaleve të kampionatit europian të futbollit. 16 përfaqësuesit e përzgjedhur nga Policia e Shtetit do të bashkëpunojnë me policinë gjermane dhe prej kësaj të shtune do të jenë të atashuar pranë vendndodhjes së kombëtares kuqezi. Shefi i seksionit për rendin në komisariatin numër 2 në Tiranë, Benard Muça, i cili është edhe një prej përfaqësuesve që do të jetë pjesë e grupit që do të kujdeset për sigurinë e kombëtares, në një intervistë televizive tha se, “punonjësit e policisë janë certifikuar, të kualifikuar në lidhje me aktivitetet masive. “Do jemi të angazhuar në bashkëveprimin me policinë gjermane. Ka më shumë tifozë shqiptarë, kryesisht në terrene, aeroporte, sheshet kryesore, apo dhe gjatë futjes brenda në stadium”, tha Muça. Lidhur me tifozët e cilësuar si problematikë, Muça tha se është hartur një listë me emrat e tyre. “Me listën ne do të bashkëveprojmë me autoritetet gjermane në lidhje me personat që kanë tendencë për të krijuar trazira apo incidente të ndryshme brenda stadiumit apo jashtë”, tha Muça. Tre muaj më parë, 21 mars, Policia e Shtetit nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Policinë gjermane për t’u angazhuar bashkërisht për sigurinë e kombëtares shqiptare gjatë finaleve të europianit të futbollit. Ministri i Brendshëm Taulant Balla, duke folur për marrëveshjen u shpreh se shtetasit shqiptarë janë tifozët e tretë në renditje, pas atyre gjermanë dhe anglezë, për numrin e biletave të blera gjatë 51 ndeshjeve të këtij turneu futbollistik.
sfidanti.al