Danimarka ia “shëron” sërish zemrën Eriksenit, në gjysmëfinale të Euro 2020 pas fitore me Çekinë!

Vërtet po luajnë për shokun e tyre që pa vdekjen me sy, por suksesi nuk po arrihet vetëm prej kësaj. Danimarka ia kushtoi sërish fitoren Kristian Eriksenit, që pati atak zemre në fushën e lojës, ndërsa shifrat 2-1 ndaj Republikës Çeke tregojnë se kjo skuadër është e përgatitur mirë. Një ekip që nuk llogaritej aspak për të shkuar kaq larg, mbërriti në katër më të mirët e Kampionatit Europian. Pavarësisht se Çekia u tregua rival i denjë dhe secili nga ekipet mund të ishte kualifikuar, sërish nuk mund të thuash se danezët nuk e merituan.

Kaluan shpejt në epërsi me anë të Delaneit dhe kompletuan një pjesë të parë mjaft të mirë me avantazhin 2-0. Golin e dytë e shënoi Dolberg. Gjithsesi, ndaj një ekipi shumë të përgatitur si Çekia, diçka që e provoi kombëtarja shqiptare në miqësoren para Europianit, nuk mund të jesh i sigurt deri sa të mbyllet ndeshja. Ekipi i trajnerit Jaroslav Shilhavi reagoi dhe shkurtoi diferencën me golshënuesin e vet më të mirë, Patrik Shik. Sulmuesi 25-vjeçar që luan në Bundesligë, barazoi Kristiano Ronaldon në garën për Këpucën e Artë me nga 5 gola secili. Po ashtu, ai barazoi ish-yllin çek, Milan Barosh, që shënoi 5 herë në Euro 2004 duke fituar Këpucën e Artë.

Gjithsesi, suksesi i Shikut nuk u përkthye në sukses edhe për shokët e tij. Çekët nuk mundën të barazonin, ndërsa rastet ishin për të dyja palët. Danimarka vazhdon me ëndrrën e saj, dhe në mënyrë të papritur, ashtu si gati 30-vjet më parë. Në 1992, shkuan në Europian vetëm sepse u përjashtua Jugosllavia dhe u shpallën kampionë, ndërsa këtë herë hynë pa pretendime dhe me një trajner që u ul rastësisht në stol, si Kasper Hjulmand, dhe janë vetëm një fitore larg finales.

Sfidanti.al