Në Shqipëri një zakon i vjetër për mbijetesë është kthyer në një lojë. Në disa zona të Jugut ndodh që gjatë ceremonisë së shpalljes së fejesës, miqtë vjedhin diçka nga të zotët e shtëpisë, dhe pastaj ua kthejnë përpara sesa të dalin nga shtëpia. Kjo lloj shakaje e sotme, dikur ka pasur vlerë jetësore sepse familja e dhëndrit i thoshte familjes së nuses se nuk do t’ia linte vajzën të vdiste nga uria, por edhe do të vidhte nëse do të ishte e nevojshme.
Kjo histori m’u kujtua ndërsa analistët televizivë nga shumica e vendeve të Europës u tallën dhe e qesëndisën sulmuesin e Italisë, Çiro Imobile, ndërsa ky mashtroi në zonë duke u rrëzuar e bërtitur në mënyrë të tillë, a thua se kishte plagë në trup, e kjo vetëm e vetëm për të fituar një penallti. Pak sekonda më vonë Barela shënoi për Italinë ndaj Belgjikës, dhe Imobile e harroi dhimbjen që e bëri të ulërinte, e nisi të vraponte për të përqafuar shokun.
Mashtrim? Po! A na pëlqen? Aspak! Pra, nuk duhet ta justifikojmë Imobilen? Përkundrazi, duhet ta kuptojmë, dhe ata anglezë, gjermanë, francezë e holandezë që sot tallen me ta, plus edhe shumë shqiptarë nga ata që kanë vjedhur për të mbijetuar, duhet ta dinë çdo të thotë të lindësh në Torre Anunciata, pranë Napolit, në këmbët e Vezuvit. Nuk flasim për Çiron sot, por për paraardhësit e Çiros që picën e hanin siç hanë shqiptarët bukën dhe fasulet, ndërsa biznesi e ktheu në modë. Në një vend tradicionalisht të varfër si Italia e Jugut, njeriu është tallur gjithnjë me moralin konvencional, “moralin e shtresës së mesme”, ashtu siç tallet sot 20 përqindëshi i varfër në SHBA. Nëse ne nuk mund të sillemi si Imobile, le të përpiqemi të mësojmë ndonjë gjë, se pastaj të paktën do ta kuptojmë.
Sfidanti.al