Tonali mund të përballet me dënim tjetër

Mesfushori i Newcastle, Sandro Tonali, është sërish nën hetim për thyerjen e rregullave të Federatës Angleze të Futbollit sa i përket vënies së basteve. Ai akuzohet se e ka shkelur rregulloren e Federatës Angleze 50 herë gjatë periudhës 12 gusht 2023- 12 tetor 2023, ndërsa 23-vjeçari ka kohë deri më 5 prill 2024 që t’u kundërpërgjigjet këtyre akuzave. Tonali kaloi nga Milani tek Newcastle për 55 milionë stërlina angleze verën e shkuar, por në tetor u pezullua për shkak të basteve që kishte vënë kur luante me Milanin. Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, Njukasëlli nuk pret që akuzat e reja ta shtyjnë kthimin e Tonalit në fushën e blertë në gusht të 2024-ës apo mundësinë e tij për t’u stërvitur. Pezullimi i tij ishte 10-mujor, ndërsa italiani u gjobit me rreth 17,000 stërlina (20,000 Euro) dhe u urdhërua që të merrte pjesë në një kurs terapie 8-mujore për të kuruar varësinë e tij nga bastet. Pezullimi i tij u shkurtua në 10 muaj, sepse ai arriti një marrëveshje me Prokurorinë Italiane dhe Federatën Italiane të Futboll (FIGC). Pezullimi nënkupton se Tonali nuk mund të luajë në ndeshje zyrtare deri në gusht të këtij viti, por është i lirë të stërvitet me Njukasëllin dhe të luajë në ndeshje miqësore. Por tani janë 50 shkelje të reja që kanë ndodhur teksa ai ka qenë lojtar i Newcastle, çka e sjell çështjen nën juridiksionin e Federatës Angleze të Futbollit.

sfidanti.al