Në ndeshjen e fundit të Ligës së Kampioneve (LK), Mançester Junajtidi mundi 1-0, me gol të Rashfordit, në Lisbonë, ekipin e Benfikës, por më shumë, mbas kësaj ndeshjeje, u fol për portierin e ri të ekipit portugez, Mili Svilar, që u bë portieri më i ri në historinë e LK-së, duke thyer rekordin e Ikar Kasijasit që debutoi në LK, më 1999, kundër Olimpiakosit, kur ishte 18 vjeç, tre muaj e 26 ditë, ndërkohë që Svilari u vendos mes dy shtyllave të portës, duke qenë 65 ditë më i vogël sesa portieri i lavdishëm spanjoll.
Svilari, gjatë të gjithë ndeshjes, la një përshtypje mjaft të mirë, me përjashtim të rastit të golit që e kaloi Junajtdin në avantazh dhe i dha fitoren. Ky portieri i ri, të cilit askush nuk ia mohon cilësitë supreme prej portieri, e priti një top të gjuajtur nga Rashfordi, por bashkë me topin, për habi të të gjithëve, kaloi vijën fatale të portës, duke pësuar kështu gol. Por, askush nuk i bëri vërejtje këtij portieri mjaft të talentuar që edhe të atin, Ratko Svilar, e ka pasur portier që ka luajtur në vitet ’80 me përfaqësuesen e ish-Jugosllavisë. Për më tepër, trajneri i Junajtidit, Murinjo, tha se “ky i ri është një bishë e vërtetë e vogël, por që do të bëhet portier i madh”. Mbas ndeshjes, Svilarin e përqafoi edhe sulmuesi i Junajtidit, Romelu Lukaku.
Sfidanti.al