I paoksidueshmi dhe i fuqishmi sulmues boshnjak po tregon se përse e kërkoi shumë edhe Antonio Konte deri sa mori Romelu Lukakun, dhe përse e deshi edhe Juventusi. Një gjahtar i vërtetë goli, Edin Xheko barazoi rekordin e Fenomenit Ronaldo me 6 gola në 7 ndeshjet e para me Interin. “Trajneri na thotë gjithmonë se për fat të keq nuk mund të luajmë që të gjithë, – tha sulmuesi, – ndaj duhet të japim maksimumin edhe kur luajmë nga fillimi, edhe si zëvendësues. Jam i lumtur që kam 6 gola në 7 ndeshje, siç bëri Fenimeni Ronaldo, por Interi më mori pikërisht për këtë, për të dhënë maksimumin për të ndihmuar ekipin”.
Në moshën 35-vjeçare, Xheko po tregon se nuk e njeh plakjen, dhe se synon një tjetër titull kampion, pas atyre që fitoi si protagonist i madh në Gjermani me Volfsburgun dhe sidomos me 2 Premier Ligat e fituara në Angli me Mançester Sitin. Trajneri Inzagi është i lumtur, ndërkaq, me Interin e tij. “Unë kam fatin që kam një skuadër me shumë lojtarë, konkurruese, – tha ai, – lojtarët na kanë dhënë ndihmë të madhe, jo vetëm këtë herë, por edhe ndaj Fiorentinës apo Atalantës. Bëmë 5 ndryshime dhe ishte e domosdoshme, me 7 ndeshje në 20 ditë. Ne nuk kemi më 11 titullarë, por shumë më tepër”. Interi ka 17 pikë në renditje dhe tri ndeshje të fituara me përmbysje jashtë fushe këtë sezon.
Sfidanti.al