Xheko përshëndet Romën me gol, gati kalimi 50 milionësh te Çelsi

Nuk ka rënë ende 100 për qind dakord, dhe mësohet se diferenca është tek rroga. Sidoqoftë, Edin Xheko, është shumë pranë Çelsit për një transferim me vlerë 44 milionë paund stërlina, apo rreth 50 milionë euro. Bashkë me të edhe Emerson Palmieri po nga Roma.

Sulmuesi boshnjak u duk sikur u përshëndet në mënyrën e duhur me tifozët verdhekuq, pasi shënoi një gol të rëndësishëm barazimi në fushën e Sampdorias, në ndeshjen e prapambetur të Serisë A. Nuk ishte ajo që dëshironte trajneri Di Françesko, por kur je në humbje deri në minutën e 90-të, barazimi të duket fitore.

Vendasit shfrytëzuan teknologjinë VAR për të pasur një penallti, që e ktheu në gol sulmuesi Kualjarela në një pjesë të parë të shkëlqyer për të dyja skuadrat. Roma protestoi sepse kërkoi një goditje dënimi ndaj Strotmanit më herët, por gjyqtari nuk sinjalizoi, ndërsa në pjesën e dytë bëri presion. Roma mbetet 2 pikë prapa Interit që mban vendin e katërt, ndërsa më përpara janë Napoli, Juventus e Lacio.

Sfidanti.al