Deri dy ditë më parë ishte një nga drejtuesit e Romës, të paktën ligjërisht. Françesko Toti tashmë është larg klubit të tij të vetëm të zemrës, ndërsa kohët e fundit pati një zhgënjim të fortë nga dikush që e vlerësonte shumë. Ish-kapiteni nuk arriti ta konceptonte atë që bëri Antonio Konte, një legjendë 15-vjeçare e Juventusit, një hero i kombëtares së Italisë, por edhe një trajner që ishte i destinuar për të mbërritur në stadiumin “Olimpiko”.
“I vetmi trajner të cilit i telefonova dhe me të cilin fola ishte Antonio Konte, – tha Toti, – nuk është e vërtetë që i telefonova apo i dërgova mesazhe Gasperinit, Gatuzos apo Sinishës (Mihajloviçit). Kjo është fantazi. i telefonova Kontes përpara sesa ta merrte vesh Palota, dhe i thashë se ishte i vetmi që mund ta bënte Romën siç duhet”. Toti tregoi se Konte pranoi dhe se bisedoi disa herë me të, por pastaj ndodhën probleme dhe ai ndryshoi mendje. Me shumë gjasë, ish-kapiteni roman mbeti i pakënaqur nga kjo histori, pasi ai vetë është njeri që e mban fjalën, dhe nuk e imagjinonte sesi Konte që i dha fjalën, pastaj ndryshoi mendjen. Gjithsesi, vështirë të saktësohet nëse Konte kishte apo jo të drejtë që po bënte “xhonglim” me dy “topa” në të njëjtën kohë, pra edhe me Romën, edhe me Interin, madje me 3 “topa”, edhe me Juventusin.
Sfidanti.al