E besoni ? Po kthehet Endi Marej me kurriz “metalik”…

Megjithësi në fillim të këtij viti u bë e ditur se tenisti më i mirë britanik, në fakt skocez, Endi Marej, për shkak të dhimbjeve të vazhdueshme në ije, ishte i detyruar që të largohej nga fushat e tenisit, tani ai vetë njoftoi se do ta rifillonte karrierën në fushë, duke i gëzuar tifozët e “sportit të bardhë”.

“Unë tani ndjehem mirë dhe po avancoj mjaft mirë drejt përmirësimit të plotë. Nuk kam më dhimbje, kështu që unë do të vazhdoj që të luaj. Unë po stërvitem normalisht dhe po e marr veten gradualisht. Fillimisht, unë jam përqëndruar te loja në dyshe, kurse andej nga fundi i këtij viti do të rifillojë të marrë pjesë edhe në konkurrimet singëll”, vuri në dukje tenisti skocez.

Endi Marej ka qenë pjesë e “katërshes së madhe” bashkë me Rozher Federerin, Rafael Nadalin dhe Novak Gjokoviçin, por gjatë dy viteve të fundit ai ka pasur probleme serioze dëmtimi, madje edhe iu nënshtrua një operacioni të komplikuar, kështu që njoftoi pensionimin e tij të parakohshëm. Mbas operacionit, atij ju vendos në ije një pjesë metalike, por Marej tani njoftoi se ai nuk ka më dhimbje dhe mund ta vazhdojë karrierën.

Marej është i vetmi tenist që ka qenë raketa nr.1 e ATP-së në kohën e Federerit, Nadalit e Gjokoviçit dhe ai ka fituar tre trofe Grand Slam.

Sfidanti.al