Sarri e ka fituar vendin në zemrën e tifozëve të Napolit

Nuk është e lehtë të jesh “njëri nga ne” për tifozët e Napolit. Si të gjithë tifozët e futbollit në botë, edhe ata ngrenë në qiell njeriun që është i lidhur me fanelën e skuadrës. Dikur ishte Maradona, në skuadrën e sotme është së pari Hamshik, ndërsa tashmë “njëri nga ne” është Mauricio Sarri. Trajneri i ardhur nga Empoli, në dy sezone ka krijuar një skuadër të fortë, që lufton për Champions, madje edhe për titullin kampion.

Në “San Paolo” gjatë ndeshjes ndaj Kaljarit në Serinë A, tifozët shpalosën një parullë të re ku lexohej: “Njeri dhe kampion i vërtetë, Sarri për Topin e Artë”! Publiku napolitan është i lumtur jo vetëm për ekipin e formuar nga trajneri, ekip që luan futbollin më të bukur në Itali dhe që pretendon trofe, por edhe për karakterin.

Batutat ndaj Juventusit, përballja me presidentin De Laurentis, autoriteti që ka në skuadër e bëjnë një personalitet të vërtetë. Sarri nuk i la batutat as pas ndeshjes me kaljaritanët. “Sezoni është shumë i mirë, – u shpreh trajneri, – fituam grupin në Champions, u eleminuam nga kampionët e botës, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë u eleminuam nga skuadra që po fiton kampionatin prej 6 vjetësh. Nuk dua të bëj polemika, por nuk më harrohen 30 sekondat në Torino, që ndryshuan gjithçka”. Sarri e kishte fjalën për pretendimin për penallti për Napolin, që nuk u dha, dhe për penalltinë që u dha në krahun tjetër në kundërsulmin e Juves.

Suksesi 3-1 ndaj Kaljarit, me dy gola të Mertensit dhe një të Insinjes, bëri që Napoli të ngjitej në vendin e dytë në renditjen e Serisë A, me 77 pikë, ndonëse duhet pritur ndeshja e Romës që mund ta kalojë përsëri nëse fiton.

Sfidanti.al