Monako e fiton titullin në Francë edhe pa yjet në fushë!

Ndaj Juventusit ka ende shpresë për kualifikim, ndonëse fare pak, dhe për këtë trajneri Leonardo Zhardim vendosi të linte disa lojtarë pushim në ndeshjen e kampionatit francez. Në fushën e Nansisë, ekipit të parafundit të renditjes, Monako nuk e pati aspak problem të fitonte dhe t’i afrohej titullit, pavarësisht se Mbape apo Bakajoko nuk ishin titullarë. Fitorja 3-0 e afroi skuadrën e Principatës me titullin e 8-të kampion dhe të parin që nga viti 2000.

Autogoli i Badilës, dhe pastaj rrjetat e Bernardo Silvës dhe Tomas Lemarit sollën triumfin 3-0 në stadiumin “Marsel Piko”. Monako iu përgjigj fitores 5-0 të Paris SG ndaj Bastijës, ekipit që mbyll tabelën, dhe mbajti diferencën 3-pikëshe ndaj kryeqytetasve. Me 86 pikë ndaj 83 të PSG-së dhe me 3 ndeshje për të luajtur, ndaj 2 që u kanë mbetur rivalëve, mund të thuhet se titulli është shumë pranë.

Një shpërblim i merituar për punën e trajnerit Zhardim që e bëri skuadrën të shkëlqente në Francë dhe në Europë, jo vetëm për pikët e fituara dhe kualifikimet, por edhe për numrin e madh të golave të shënuar, 98 vetëm në kampionat, duke qenë skuadra e dytë me më shumë gola në Europë pas Barcelonës.

Sfidanti.al