Sinisha Mihajloviç njihet si njeri tepër gjaknxehtë, si lojtar dikur dhe sot si trajner, ndërsa nervat e tij kaluan një provë të vështirë në derbine Torinos së tij ndaj Juventusit. Mjaftoi kartoni i dytë i verdhë ndaj mbrojtësit torinez, Akuah, pra edhe përjashtimi i tij nga ndeshja, që trajneri serb të acarohej në kulm dhe t’u hidhej në fyt gjyqtarëve. Natyrisht, që mori edhe ai karton të kuq, veçse përtej teprimit me sjelljen, Miha pati të drejtë në protestën e tij.
Akuah ndërhyri ndaj topit dhe jo ndaj Manxhukiçit. Edhe nëse gjyqtari mund të jepte faull për lojë të rrezikshme, vështirë se mund të jepet e verdha. Ishte minuta e 58-të dhe që nga ai moment Torino luajti me një lojtar më pak, dhe avantazhi 1-0 nuk mbajti dot, përveçse deri në minutën e 92-të kur Higuain barazoi. Analiza e pamjeve filmike në Itali bëri që të zbuloheshin gabime të tjera të gjyqtarit që, siç shkruan “La Gazeta delo Sport”, fali pa ndëshkuar me kartona lojtarët e Juventusit, Bonuçi e Manxhukiç. Jo vetëm kaq, por gazeta shkruan se edhe kartoni i parë i verdhë për Akuahun nuk duhej dhënë.
Tashmë, Mihajloviç pret të marrë një ndëshkim të ashpër, por besohet se është shumë i qetë në ndërgjegjen e tij. Pas ndeshjes, pati edhe një përplasje me Xhanluka Vialin, që e quajti faull ndërhyrjen e Akuahut ndaj Manxhukiçit, dhe Miha “iu përvesh” duke i kërkuar të mos bëhej palë me Juventusin dhe të mos thoshte marrëzi. Gjithsesi, në fund, e ftoi për një birrë kur të takoheshin.
Sfidanti.al