Saki në krah të Pirlos: Nuk ka faj, cikli i Juventusit është i mbyllur!

Nervat nuk e mbajnë për t’u kthyer në profesion, as si trajner dhe as si drejtor teknik apo sportiv, por futbollin e njeh si pak të tjerë. Arrigo Saki është padyshim njëri nga zërat më autoritarë të kritikës në Itali, dhe madje edhe në Europë, dhe gjykimi i tij për krizën e Juventusit padyshim që duhet të dëgjohet. “Nuk mendoj se fajin kryesor për problemet e Juves e ka Pirlo, – thotë Saki, – trajneri vërtet është i ri dhe ka nevojë për kohë, por gjithsesi, problemi kryesor tek Juventusi është se mjaft futbollistëve u ka përfunduar cikli. Shikoni moshën që kanë, gjendjen fizike, urinë për të fituar. Nuk ka sinergji dhe ide tek bardhezinjtë, ndërsa Milani në Torino luajti si skuadër”. Gjithsesi, kritikët kanë theksuar se Pirlos përveç përvojës i mungon edhe natyra e hedhur që duhet të ketë një trajner për të motivuar lojtarët e tij.

Sfidanti.al