Guardiola: Ky është titulli më i vështirë në karrierën time

Ka fituar shumë, plot 31 trofe, por sërish e ndjen fort kur ia del, si dhe vuan derisa ia arrin qëllimit. Pep Guardiola ia ka kaluar Zhoze Murinjos si fitues “serial” dhe titulli me Mançester Sitin në Angli ishte thjesht një i radhës. Sidoqoftë, trajneri katalanas mendon se këtë herë vuajtja ishte më e madhe, në krahasim me Barcelonën, Bajernin, apo edhe me sukseset e arritura më parë me vetë Sitin.

“Jam i lehtësuar, – tha Guardiola, – jam shumë i lumtur për njerëzit tanë. Një arritje e pamasë ndaj rivalëve të mëdhenj që patëm në ligën më të fortë të botës, dhe në një periudhë kaq të vështirë izolimi. Kthesa nisi në 19 dhjetor kur fituam në Sauthempton, dhe ne nuk u ndalëm më. Ky ishte titulli më i vështirë kampion në karrierën time”. Siti fitoi titullin pasi Mançester Junajtidi u mund në shtëpi nga Leisteri, duke pasur 80 pikë ndaj 70 të “djajve të kuq” kur duhen edhe 3 javë deri në mbyllje të Premier Ligës.

Sfidanti.al