Roma “qan” milionat e humbura nga Salah, por pritet edhe më keq!

Nuk është Seria A e viteve 80-të apo 90-të. E ndjejnë këtë edhe klubet më të fuqishëm si Juventusi, Milani apo Interi, e ndjen Napoli pretendent për titull, por më shumë e vuan Roma. Verën e kaluar, verdhëkuqtë bënë një “blerje” të madhe, duke marrë një “magjistar” të transferimeve si Ramon Rodrigez Verdeho, i mbiquajtur Monçi. Pas mrekullive të bëra tek Sevilja duhet të bëjë “vezë të arta” në kryeqytetin e Italisë.

Gjithsesi, edhe “gjysmëperëndia” Monçi nuk mund të ndryshojë një realitet të hidhur dhe Roma u detyrua të pranonte largimin e Mohamed Salahut për 37 milionë euro, edhe pse kjo mund të arrijë në 50 milionë euro në bazë të klauzolave. Në atë kohë, u duk një biznes i mirë, por transferimi i Nejmarit, pastaj i Dembelesë apo Kutinjos ndryshuan perceptimin.

Roma humbi shumë miliona nga ylli egjiptian që po shkëlqen tek Liverpuli dhe që po krahasohet deri edhe me Mesin. “U detyruam të shisnim, – thotë Monçi, – pasi duhej të rregullonim bilancin, ndryshe dënoheshim nga UEFA”. Vërtet litari u hoq nga fyti vjet, por sivjet duhet bërë ndonjë sakrificë tjetër për të mbajtur llogaritë në këmbë, sipas rregullit të Lojës së Ndershme Financiare të UEFA-s.

Cili yll do të ikë këtë herë dhe sa do të arrijë të përfitojë Roma? Xheko? Naingolan? Portieri Alison (e kërkon pikërisht Liverpuli)? Nëse Alison do të kërkojë të largohet, dhe Klop duket se e pëlqen, Monçi do të kërkojë jo më pak se 70 milionë euro.

Sfidanti.al