Ed Rama e quan median “kazan”, Murinjo u vërsulet: Gënjeshtarë!

Zhoze Murinjo kurrë nuk ka qenë “me frena” përballë gazetarëve, dhe padyshim që kjo sjellje ka qenë një nga sukseset e tij më të mëdha. Sallat e konferencave kur ai dilet përpara mediave kanë qenë gjithnjë plot, edhe pse “shigjetat”, sulmet, nervat, ironia apo sarkazma kurrë nuk kanë munguar. Kurrë portugezi nuk ka qenë në mbrojtje, por në sulm, dhe kështu ishte edhe në rastin e Pol Pogbasë, deri diku me të drejtë (por, nuk dihet sesa për qind).

Nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur median “kazan”, trajneri i Mançester Junajtidit e quan “gënjeshtare”. “Nuk kam pse flas me ju për bisedat që bëj me lojtarët e mi, – u shpreh ai, pasi u pyet për Pol Pogbanë, – unë mund t’iu them vetëm se Poli nuk ka luajtur mirë kohët e fundit, dhe këtë ia kam thënë edhe atij. Edhe Poli e di këtë dhe e ka pranuar. Kaq, ky është fundi i diskutimit. Pjesa tjetër më përket mua dhe Polit, që ai të rrisë nivelin e lojës”.

“Duhet të jeni objektivëm, – nxorri konkluzionet Murinjo, – mos u bëni gënjeshtarë. Nëse ju doni të flisni për këtë çështje, dakord, por spekullimet nuk kanë kuptim. Në shumicën e gjërave që ju lexoni, shikoni që ka gënjeshtra”.

Murinjo u nervozua pas lajmeve të dala në mediat franceze se Pogba është penduar që është rikthyer tek Junajtidi dhe se dëshiron të largohet, ndërsa nuk është i kënaqur me pozicionin në të cilin luan në fushë, pra nuk është i kënaqur me zgjedhjen taktike të trajnerit.

Sfidanti.al