“Do të doja që këtë ndeshje ta kisha luajtur sot”. Kështu u shpreh dje trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, për përballjen e ligës spanjolle në fushën e Eibarit. “Është më e lehtë të menaxhosh një javë me 4 ditë pushim sesa një me 3, – vazhdoi ai, – dhe duke pasur parasysh Championsin, Çelsi do të ketë një ditë më shumë pushim sesa ne”.
Valverde natyrisht nuk deshi të shpërqëndrohej dhe përsëriti disa herë se “nuk mendojmë për Çelsin, por për Eibarin, ndeshjen radhës”, gjithsesi nuk mundi të rrinte pa e thënë shqetësimin e tij. Barcelona cilësohet favorite e madhe përballë ekipit të Kontes, veçse trajneri me përvojë e di se parashikime të tilla shpesh herë të bëjnë keq.
Barazimi i javës së kaluar në La Liga ndaj Seltës ishte këmbanë alarmi, ndërsa skuadrat angleze po paraqiten shkëlqyeshëm në Champions, aq më shumë që Çelsi i fitoi thellë dy ndeshjet e fundit, përfshi edhe atë të mbrëmshmen në Kupën e Anglisë ndaj Hull Sitit. Valverde u shqetësua edhe nga një pyetje që nuk pritej shumë: A jeni i shqetësuar për Paris SG? Përgjigja ishte se “trajneri i Barcelonës duhet të shqetësohet vetëm që të eleminojë Çelsin, dhe për asgjë tjetër”.
Sfidanti.al