“Plakushi” Federer vendos një tjetër rekord në karrierën e madhe!

Nuk është se duhej të tregonte veten përsëri, por për Rozher Federerin rekordet janë sinonim i karrierës. Tenisti zviceran, më i miri i të gjitha kohëve, u rikthye në krye të renditjes pas fitores me gjermanin Tomi Has në Roterdam, duke u bërë më i vjetri në këtë sport që ia del. Në moshën 36-vjeçare ai lë shumë prapa Andre Agasin që ishte numri 1 kur kishte mbushur 33 vjeç, dhe po ashtu thyen rekordin e femrave që e mban Serena Uilliams me 35 vjeç.

Federer ka qenë gjithsej 303 javë në krye të renditjes, tenisti me më shumë kohë në pozicionin numër 1. Prapa tij është legjenda amerikane, Pit Sampras me 286 e pastaj Ivan Lendl, Xhimi Konors e Novak Gjokoviç.

Po ashtu, zvicerani i lë pas gjithë të tjerët për javët pa ndërprerje në majë të klasifikimit, duke ia dalë 237 javë, ndaj 160 të Xhimi Konorsit, 157 të Ivan Lendlit dhe 122 të Novak Gjokoviçit.

Në karrierën e tij të lavdishme, ai ka fituar 20 tituj Grand Slem, rekord për meshkujt dhe vetëm 4 tituj më pak se rekordmenia e femrave, Margaret Kourt, ai ka fituar 9 Uimbëlldonë (gjithashtu një rekord), ka 96 tituj individual, duke mbetur vetëm 13 tituj prapa rekordmenit Xhimi Konors, si dhe ka fituar më shumë para se të gjithë tenistët e tjerë, duke lënë aktualisht prapa Novak Gjokoviçin.

Sfidanti.al