Shpesh nga yjet pritet e kundërta, pasi duke e kuptuar se janë thuajse të domosdoshëm, “hedhin vickla”. Kristiano Ronaldo, mund të protestojë kur zëvendësohet, ose kur diskutohet për të gjuajtur ndonjë penallti, por tani që erdhi puna tek një vendim jetësor, si ulja e rrogës, nuk bëri asnjë naze. “La Gazeta delo Sport”, “Il Korriere delo Sport” e pa dyshim “Tutosporti” i Torinos, i bëjnë “hosana” për qëndrimin e mbajtur.
“Ronaldo, juventin i vërtetë dhe njeri i skuadrës, i tha “Po” klubit pa bërë nazet e yjeve”, – titullon “La Gazeta delo Sport”. Me të drejtë të përditshmet sportive theksojnë se dakordësia e portugezit që nga Madeira, ishte vendimtare për suksesin e marrëveshjes së Juventusit me lojtarët për uljen e rrogave në muajt mars, prill, maj e qershor. Vendim pozitiv e për t’u përshëndetur, pasi nga 31 milionë euro rrogë në vit, besohet se CR7-ta do të heqë dorë nga 10.3 milionë, pra nga një e treta e pagës. Nuk do të vdesë për bukë, por të paktën tregoi mirëkuptimin dhe logjikën se kështu ndihmohet klubi që ia jep atë rrogë.
Sfidanti.al