Në moshën 38-vjeçare, çdo ditë që kalon është një minus për të. Legjenda e tenisit, Rozher Federer, ende shpreson në dëshpërim që Grand Slemi i tij i preferuar, Uimbëlldoni, të mos shtyhet. Kushdo bie dakord që turneu londinez është shansi i tij më i mirë, për të mos thënë i vetmi, që të fitojë edhe një Grand Slem tjetër, të 21-in në karrierë, dhe të shpresojë që të mbetet tenisti me më shumë Çmime të Mëdha të fituar në histori.
Rivalët e tij të mëdhenj, Rafael Nadal e Novak Gjokoviç, janë më të rinj sesa ai, spanjolli 33 vjeç e serbi 32, pra kanë teorikisht edhe disa vjet në dispozicion për të fituar. Nadal ka 19 Grand Sleme, dhe nëse fiton Rolan Garosin (me gjasë në shtator), do ta barazonte. Për më tepër, Rafa pritet të luajë ende disa vjet dhe në Paris ai është thuajse i pathyeshëm, pra besohet se do ta kalojë Federerin në renditjen e Grand Slemeve për të gjithë kohët. Edhe Gjokoviçi ka shanse të shumta, pasi ai është specialist në Australian Open (ka 8 tituj), në Uimbëlldon (5), por nuk paraqitet keq as në US Open (3 tituj ndaj 4 të Nadalit e 5 të Federerit). Nga Anglia thonë se ka arsye praktike që Uimbëlldoni nuk mund të shtyhet, dhe pritet që javën e ardhshme të anulohet.
Sfidanti.al