Luçiano Spaleti u detyrua të dilte me kokën ulur dhe duart e varura nga stadiumi, ndërsa ëndrra kontinentale përfundoi keq. Napoli u zgjua nga “gjumi” dhe kuptoi realitetin, atë që Barcelona mbetet një gjigand sidomos kur e merr veten, siç po i ndodh me trajnerin Ksavi. “Më vjen keq, – thotë Spaleti, – sepse ishte krijuar një atmosferë e mrekullueshme, tipike e Napolit, dhe duket sikur Maradona ishte këtu me ne. Le ta pranojmë, Barcelona u tregua më e zonja se ne, bëri më pak gabime dhe fitoi me meritë”. Gjithsesi, eleminimi nga Liga e Europës mund të ketë efektin pozitiv që ta lejojë ekipin të përqëndrohet në sfidën e Serisë A. Kundërshtarët kryesorë, Milani dhe Interi, po ashtu i kanë duart e lira, sepse kuqezinjtë janë jashtë Europës, ndërsa zikaltërit në prag të eleminimit nga Liverpuli në Champions. “Duhet të riorganizohemi, – thotë Spaleti, – duhet të marrim veten pa u mbytur nga ky rezultat. Këtë fundjavë jemi në Romë për ndeshjen e radhës”.
Sfidanti.al