Sporti është gjëja e fundit që ka rëndësi në këtë situatë, por edhe ai nuk shkëputet dot nga lufta. Polonia refuzon të luajë me Rusinë në plej ofin e Kupës së Botës të parashikuar muajin e ardhshëm, ndërsa Federata Polake pret një marrëveshje edhe me skuadrat e tjera të turneut, Suedinë dhe Republikën Çeke. Vendimi polak është reagim për sulmin ushtarak rus ndaj Ukrainës i cili vazhdon prej ditësh dhe ka tronditur opinionin botëror, ndërsa ka shkaktuar viktimta të shumta ushtarake dhe civile. Presidenti i Federatës Polake, Cezari Kulesha, lajmëroi në Tuiter se kombëtarja e vendit të tij nuk do të shkojë në Moskë, ndonëse pret përgjigjen e suedezëve dhe çekëve. “Jo më fjalë, është koha për të vepruar”, – shkruajti ai.
Kapiteni i Polonisë, Robert Levandovski, reagoi në Instagram duke e cilësuar këtë vendim si të duhurin. “Nuk mund ta imagjinoj të luajmë një ndeshje me Rusinë në këtë situatë, – shkruajti ylli i Bajernit, – ndërsa agresioni i armatosur në Ukrainë vazhdon”. Në bazë të kalendarit të plej ofit për Kupën e Botës të këtij viti në Katar, Polonia duhet të luajë në stadiumin “Luzhniki” të Moskës në 24 mars ndaj Rusisë vendase, ndërsa Suedia pret Republikën Çeke po atë ditë. Rusia mund të ishte pjesë e një finaleje të mundshme në 29 mars për një vend në Botëror.
Sfidanti.al