Moxhi kritikon Interin për Lukakun, ndoshta është Luçiano i Partizanit!

Kur ishte drejtues tek Napoli e Juventusi, shkëlqeu të paktën në anën profesionale. Vështirë të gjeje të dytë si Luçiano Moxhi, që bënte qindra telefonata në ditë, si një “kafshë” e vërtetë pune, që realizonte goditje fantastike, dhe që bindi klubin më të madh të Italisë që t’i besonte me sy mbyllur. Gjithsesi, duket se në gjykimin për Interin e sotëm, ky Luçiano Moxhi nuk është ai i pari. Kritika e tij më e fortë ishte për faktin që Marota dhe Konte morën Romelu Lukakun nga Mançester Junajtidin.

“Suksesi më i madh i Juventusit ishte që nuk mori Lukakun, – theksoi Moxhi për mediat italiane, duke nënkuptuar se ky ishte, pra, gabimi i madh i Interit, – ai nuk është lojtar për nivelin e Juves”. Ndoshta, por Konte dhe Marota nuk janë nga ata që nuk marrin vesh nga futbolli, dhe duhet të kenë pasur arsye të forta që investuan shumë tek sulmuesi belg. Statistikat flasin qartë se, Lukaku ndoshta nuk shënon shumë gola, por sakrifikon shumë për skuadrën, dhe është i pari në renditjen e lojtarëve që rikuperojnë topa. Me shumë gjasë, Luçiano Moxhi që kritikon sot, i ngjan më shumë atij që ishte tek Partizani, dhe që u bë “leckë” nga Sulejman Starova, sesa Moxhit të dikurshëm të Juves.

Sfidanti.al