Arsen Venger nuk mendon se drejtuesit e Bajernit janë engjëj!

As ai vetë nuk është, padyshim, por francezi dëshiron të bëjë të qartë se njerëzit nuk duhet të gënjehen nga aparencat. Arsen Venger këtë herë e ka me Bajernin, simbolin e korrektesës dhe ndershmërisë gjermane, por që sipas njeriut të lindur në Strasburg, nuk të japin një panoramë të saktë të klubit të madh. “Inatin”, Vengeri e ka me largimin e Serg Gnabrisë nga Arsenali për tek Verderi në vitin 2016.

“Ne deshëm të zgjasnim kontratën e tij për një kohë të gjatë, – tregoi ish-trajneri i Arsenalit, – dhe mendoj se ishte Bajerni që manipuloi pas “perdeve”, që nëse Gnabri do të shkonte tek Verderi, do të ishte shumë më e lehtë që të përfundonte në Mynih”. Natyrisht, Vengeri nuk mund t’i provojë dyshimet e tij, por gjithsesi njerëzit i krijojnë mendimet dhe bindjet e tyre, jo nga provat, por nga arsyeja, logjika dhe ato që zbulohen me kalimin e kohës.

Vengeri thekson se “Gnabri ishte një lojtar me shumë potencial, ndonëse herë-herë nuk pati shumë besim tek vetja, veçse unë gjithnjë besoja tek ai, e kuptoja se mund të arrinte shumë”. Sot, ai është një yll i konfirmuar tek Bajerni, lojtari më i mirë i sezonit të kaluar, sipas tifozëve, dhe autor i 4 golave ndaj Totenhemit në ndeshjen e Championsit në Londër.

Sfidanti.al