Montela: Milani favorit? Marota të llogarisë shpenzimet e Juves!

Nuk dëshiron as të fshihet dhe as të hidhet përpjetë më shumë sesa duhet Vinçenco Montela. Ish-sulmuesi dhe sot trajneri i Milanit, është aq inteligjent dhe ka aq përvojë sa ta kuptojë sesa shpejt përfundon nga hero në dështak. Sidomos, kur klubi shpenzon shumë dhe ti nuk arrin të fitosh menjëherë dhe gjithçka, për më shumë në një klub si Milani. Montela ka reaguar kur Bepe Marota, drejtori sportiv i Juves, e cilësoi ekipin kuqezi ndër favoritët.

“Nëse e ka thënë Marota, duhet të respektohet mendimi i të tjerëve, – tha ai me shaka, – nuk duhet të harrojmë se Juventusi ka shpenzuar po aq sa ne, edhe pse doli kampion dhe arriti finalen e Championsit. Po ashtu, nuk duhet të harrojmë se vjet ishim 25 pikë larg vendit të dytë dhe 23 pikë larg të tretit, pra do të na duhet kohë dhe sakrificë për t’u ngjitur. Kemi marrë 10 lojtarë nga Europa, por duhet që të bëhemi skuadër”.

Megjithatë, Montela falenderon punën e klubit, të Mirabelit dhe Fasones, dhe shton se përforcimet kanë sjellë entuziazëm të madh  dhe tifozët kanë nisur të buzëqeshin përsëri.

Sfidanti.al