Kryesisë së klubit të Milanit duket se i “ka ardhur në majë të hundës” me kapriçiot prej fëmije të portierit të vet, Xhanluixhi Donaruma, duke i kërkuar atij që t’i ndëpresë kërkesat jorealiste ultimative të tij. Ky portier 18-vjeçar që, në fakt, është super i talentuar dhe duket qartë se ka një të ardhme të madhe në botën e futbollit, nuk po vendos dot që të nënshkruajë kontratën e re me Milanin, duke kërkuar, sikurse pretendon kryesia e Milanit, “qiqra në hell”.
“Donaruma duhet të zgjedhë mes klubit dhe agjentit të tij (Mino Raiola)”, është qëndrimi i klubit të Milanit që është irrituar me kërkesat e Donarumës që, në fakt, nxitet nga agjenti i tij kontraversal, Raiola. Ka spekulime se Donaruma, nëse nuk do t’i plotësohen kërkesat e tij, mund të shkojë te Junajtidi. Sikurse thamë më lart, Donaruma është, me të vërtetë, një portier mjaft i talentuar, duke u vendosur mes dy shtyllave të portës të njërit prej ekipeve më të famshëm ne Itali dhe në botë, si portier standard, qysh në moshën 16-vjeçare!
Sfidanti.al