Mund të jetë eleminuar nga Kupa e Italisë duke u mundur 1-7, mund të ketë bërë gabime të mëdha, por sërish kjo Romë mbetet aty, vetëm 1 pikë larg zonës Champions. Milani, por edhe Interi duhet të bëjnë kujdes pasi verdhekuqtë nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga objektivi i madh. Me një Edin Xheko në formë, edhe pse 32-vjeçar, kryeqytetasit ia dolën 3-2 në fushën e Frozinones, në një fitore me drithma, por shumë të rëndësishme.
Pësuan gol të parët, përmbysën me Xhekon e Pelegrinin, pastaj u befasuan nga Pinamonti 10 minuta para fundit, veçse Xheko e kishte lënë për në sekondat e fundit golin e shpëtimit. Sulmuesi boshnjak nuk po shënon si edicionet e kaluara, por gjithsesi po mbetet vendimtar. Trajneri Di Françesko foli për gabime të shumta, por edhe për besim deri në fund.
Roma mund të mos jetë për titull, as për vend të dytë, por mbetet një nga skuadrat më të forta dhe cilësore të Serisë A. Jo më kot ka shënuar 49 gola. Vetëm Juventusi (52) dhe Atalanta (51) kanë shënuar më shumë në këtë kampionat. Kryeqytetasit mbeten me shpresë edhe në Champions, ku kanë mundësi të kalojnë në çerekfinale. Me të vërtetë, një sezon pozitiv.
Sfidanti.al