Plas tek Bajerni, futbollisti akuzon trajnerin Kovaç: i padrejtë!

Nuk duhej të kishte ndodhur në këtë moment, por ja që e keqja u bë. Konflikt i një futbollisti me trajnerin tek Bajerni i Mynihut, pasi gazeta “Bild” shkruan për akuzat e mbrojtësit të djathtë, Rafinja, ndaj trajnerit Niko Kovaç.

“Unë duhet të jem lojtari që të zëvendësoj Xhoshua Kimihun ndaj Liverpulit, por trajneri nuk po më jep kohë për të luajtur, – ishin fjalët e tij, – kohët e fundit, ai po tregohet i parespektueshëm me mua. Po punoj shumë në stërvitje, por nuk po luaj. Është shumë e vështirë që të motivoj veten”.

Më tej, Rafinja bëri ironi duke thënë se “Ançeloti, Guardiola apo Hajnkesi ndoshta nuk marrin vesh nga futbolli, pasi unë luaja gjithnjë për ta”. “Me Nikon (Kovaçin) luajta në fazën e parë, por tani jo më, – vazhdoi Rafinja, – nuk e di se çfarë po ndodh, por jam shumë i zhgënjyer”. Bavarezët shpresojnë ta mbyllin shpejt këtë konflikt që mund të prishë harmoninë në prag të ndeshjes së Championsit ndaj Liverpulit.

Sfidanti.al