“Leku shkon tek leku”, një biznes i Juventusit që quhet Kristiano Ronaldo

Vetëm një metal i caktuar mund të jetë magnet, dhe kur njerëzit pëlqejnë diçka është e pamundur të mos bësh biznes, e të mos fitosh. Që kur ka lindur prodhimi dhe tregtia, kjo është kryefjala e botës, dhe tani Juventusi po e bën me anë të ikonës së tij të re, Kristiano Ronaldo. Jo i njohur si klub tregtar, siç mund të quhen Reali i Madridit apo Mançester Junajtid, ai torinez po përshtatet me kohën, pasi vetëm vlerat e vjetra nuk mjaftojnë. Do të thotë se mund të fitosh 8 tituj në Serinë A, por jo Championsin, dhe të mos jesh emër i madh global si të tjerët.

Sot është ndryshe, dhe në Piemont kanë gjetur njeriun-imazh, siç bënte që më parë Najku (Nike) me Majkëll Xhordanin apo siç bën tani me Lebron Xhejmsin. Nëse Najku i jepte Xhordanit 30 milionë dollarë në vit në 1992, kompania llogaritej që fitonte 1 miliardë.

Kjo është edhe logjika e “Zonjës së Vjetër”. Ronaldo vërtet merr një rrogë mbi 30 milionë euro në sezon, por emri i tij ka ndikuar që klubi të rrisë xhiron me 58 milionë euro në 2018-2019. Një bazë e sigurt për të ardhmen është fakti se Juvja llogarit tani 40 milionë tifozë më shumë në nivel global. Vetëm Instagrami ka mbërritur në 32 milionë ndjekës. Klubi ka negociuar kontrata më fitimprurëse me sponsorët, ndërsa është zvogëluar diferenca me Realin, Barcelonën e Mançester Junajtidin. Kompania amerikane Xhip (Jeep) llogarit të trefishojë të ardhurat që i sjell kontrata me Juven.

Sfidanti.al