Nëse nuk do të ishte bërë gabimi që solli kartonin e kuq të portierit Meret, nëse Insinje nuk do ta kishte humbur 11-metërshin, nëse shumë gjëra nuk do të kishin ndodhur jo thjesht në një ndeshje, por gjatë gjithë sezonit, Seria A do të kishte qenë një kampionat me konkurrencë.
Për fat të keq, rivalët e Juves gabojnë, ndërsa kampionët e bëjnë rrallë, ndaj edhe diferenca e tyre me Napolin e vendit të dytë arrin në 16 pikë. Juventusi ka 72 pikë ndaj 56 të skuadrës së Karlo Ançelotit, me vetëm 3 barazime në 26 javë, dhe vetëm Liga e Parë e Francës ia kalon Serisë A për mërzitinë e saj. Paris SG ka 17 pikë epërsi ndaj Lilës, madje me një ndeshje më pak të luajtur.
Formacioni i trajnerit Masimiliano Alegri e ka tashmë në dorë titullin e 8-të radhazi, diçka e paprecedentë, veçse loja e zhvilluar në “San Paolo” nuk entuziazmoi aspak. Ndoshta është efekti i titujve radhazi që ka sjellë një ngopje dhe mungesë dëshire, ndoshta mërzia për shkak të humbjes në Champions ndaj Atletikos, apo ndoshta vetë fakti se kampionët po ruajnë forcat për ndeshjen e kthimit.
“Ne gabuam pasi pësuam gol, – u justifikua Alegri, – aty e humbëm lojën, ndërsa Napoli mori guxim i nxitur edhe nga stadiumi. E pranoj, që pasi pësuam gol u tërhoqëm shumë dhe rrezikuam, por gabova që nuk e zëvendësova Pjaniçin në pushim”.
Sfidanti.al