Liverpul, si del kampion kur mesfusha shënon veç 5 gola?!

Opinioni i përgjithshëm është që Liverpuli nuk fitoi dot në fushën e Evertonit sepse Mohamed Salah humbi dy raste të pastër, por një nga legjendat e të kuqve, Graem Sunes, ka mendim tjetër. Ish-mesfushori skocez, pjesë e skuadrës së madhe të viteve 70-të e 80-të, drejton gishtin pikërisht tek mesi i fushës.

“Nëse je mbrojtës, atëherë mesfusha e Liverpulit është më e mira që do të dojë, – tha Sunesi, – nëse je sulmues, ajo nuk është mesfusha që do të kishe dashur. Mesfushorët nuk krijojnë sa duhet, nuk japin pasime të zgjuara. Pesë mesfushorë kanë shënuar vetëm 5 gola këtë sezon dhe kjo nuk është e mjaftueshme”.

Liverpuli barazoi 0-0 në “Gudison Park” dhe mbeti prapa Mançester Sitit në renditjen e Premier Ligës me 70 pikë ndaj 71 të kampionëve. Gjithsesi, trajneri Jurgen Klop, refuzoi të fajësonte lojtarët dhe taktikat e tij. “Ky është futboll, – tha ai, – nuk është lojë kompjuteri. Gjithçka mund të ndodhë, por ne jemi në garë për titull”.

Sfidanti.al