Kritika të forta mediatike për Interin pas humbjes në Specia

Nuk ka kaluar pa pasoja disfata zikaltër në Serinë A, që ishte e teta për këtë edicion. Kritikat mediatike ishin të forta. “Pa justifikime, – është kritika e “La Gazeta delo Sportit”, – Interi nokaut në Specia. Humbja e tetë, të martën është Porto!” “Gropa zikaltër, – shkruan “Il Korriere delo Sporti”, – Interi, një tjetër fikje dritash! Humb 1-2 në Specia, të martën vjen Porto!” Trajneri Simone Inzagi deklaroi pas ndeshjes se do të merrte përgjegjësitë e tij për humbjen dhe se do të kalonte një natë pa gjumë. Mediat italiane njoftojnë se do të ketë takim të trajnerit me drejtuesit, ndonëse nuk pritet ndryshim në stol në prag të ndeshjes së Championsit. Interi ka 50 pikë në 26 ndeshje, ndërsa pas tij vijnë Lacio me 48, Roma e Milan me nga 47 dhe nga një ndeshje më pak. Tifozët ndërkaq e shprehën gjithë pakënaqësinë e tyre në stadiumin e Specias duke kritikuar lojtarët e duke kërkuar që ata të tregojnë karakter.

Sfidanti.al