Juventusi sërish një “çështje argjentinase”, Dibala vërtet në krizë?!

“La Zhoja” duhej të ishte dhimbja e madhe e kokës për Masimiliano Alegrin. Paulo Dibala kishte javë që nuk po dukej vetvetja, ndërsa kritikat po “rigonin” nga të gjitha anët, veçse argjentinasi nuk e kishte thënë fjalën e fundit. Erdhi më në fund goli i parë në një muaj, tepër pak për klasin e tij, por mjaft për lumturinë e tifozëve juventinë. Falë Dibalës dhe Gonzalo Higuainit, ndeshja e Kupës së Italisë ndaj Xhenoas u fitua 2-0, dhe “Zonja e Vjetër” tregoi se çfarë mentaliteti fitues ka. Në një sezon që u quajt i vështirë, Juventusi i Alegrit është vetëm 1 pikë larg kreut të Serisë A, është në turin e dytë të Championsit, si dhe vazhdon pretendimet për Kupën e Italisë.

Pa problem që mungesat ishin të shumta, me të dëmtuarit Manxhukiç, Bufon, De Shilio e Kuadrado, dhe me lojtarë të lënë në stol si Kielini, Higuain (hyri si zëvendësues), Pjaniç, Kedira, Aleks Sandro e Benatia. Edhe Xhenoa pati mungesa, ndërsa teknologjia VAR i hoqi një penallti, që gjyqtari deshi t’ia jepte 10 minuta para fundit.

Sfidanti.al