Jo gol Nr. 54 për Levandovskin, por Bajerni i Hajnkesit marshon

Së pari i duhet dhënë haku trajnerit të Dortmundit, Shtëger. Ish-trajneri i Këlnit dhe i Mërgim Mavrajt, e ka kthyer për së mbari sezonin e Borusias që pas shkarkimit të Peter Boshit. Së dyti, duhet thënë se as “magjia” e Shtëgerit nuk mjaftoi në “Alianc Arena” ndaj Bajernit, në një klasike të futbollit gjerman luajtur për Kupën.

Bajerni kaloi në çerekfinale pas suksesit 2-1 në Mynih, edhe pse Robert Levandovski humbi shansin e fundit që të shënonte një gol që mund t’i jepte Këpucën e Artë të vitit kalendarik 2017 në Europë. Polaku mbeti në kuotën e 53 golave, po aq sa Mesi e Ronaldo. Formacioni i Jup Hajnkesit tregoi edhe një herë se trajneri veteran ka “prekje magjike”.

Bavarezët kryesojnë bindshëm Bundesligën, janë plot optimizëm në Champions pas fitores 3-1 ndaj Paris SG në revanshin e madh, si dhe pretendojnë për Kupën duke eleminuar trofembajtësin Dortmund. Boateng dhe Tomas Myler (mirë që iku Ançeloti) ishin autorët e golave, ndërsa Jarmolenko nuk mjaftoi për miqtë.

Sfidanti.al