Kaeni dihej se nuk ishte ndonjë pengesë për të mëdhenjtë e Francës. Skuadra modeste u mposht 3-1 në “Park dë Prinses”, në një mbrëmje ku u festua sërish diferenca e madhe në ligën franceze, dhe ku më të lumturit ishin Edinson Kavani e Kilian Mbape. Parizienët e Unai Emerit e mbyllin vitin me 50 pikë në renditje pas 19 javëve (fundi i fazës së parë), plot +9 ndaj Monakos dhe Lionit, dhe +12 ndaj Marsejës. Kryeqytetasit kanë shënuar 58 gola, shumë më tepër sesa të tjerët, por si të mos e bënin kur në sulm kanë Kavanin, Nejmarin e Mbapenë.
Edinson Kavani u barazua me treshen e kreut në renditjen e golshënuesve më të mirë të 2017-ës. Uruguajani realizoi ndaj Kaenit golin e 53-të të vitit, dhe që ishte goli i 24-ët në 25 ndeshje këtë edicion. Mbape shkëlqeu edhe më shumë duke shënuar edhe ai gol, duke dhënë asist dhe duke u shpallur lojtari i ndeshjes. Tashmë, PSG mund të shkojë në pushime të merituara, edhe pse në gjysmën e dytë të sezonit duhet fituar përballja në Champions ndaj Realit për t’u bërë aq të mëdhenj sa kërkohet.
Sfidanti.al