S’ka fund tronditja për Murinjon, Pogbanë dhe Ibrahimoviçin

Ishte mbrëmja kur Çelsi kaloi turin në Kupën e Ligës së Anglisë, dhe kur nëpër media kishte plasur debati nëse ia vlente të luhej ky kompeticion apo jo. Ishte edhe mbrëmja kur Zhoze Murinjo mori një tjetër shuplakë, këtë herë edhe më të rëndë sesa ajo e humbjes 1-2 në fushën e vet me Mançester Sitin. Skuadra e madhe e Mançester Junajtidit u eleminua nga Kupa e Ligës pas disfatës 1-2 në fushën e Bristol Sitit, ekipit të kategorisë së dytë.

Nuk bëri punë që Zllatan Ibrahimoviç ishte në fushë që nga minuta e parë, madje edhe si kapiten. Nuk bëri punë që Ibra shënoi një gol barazimi në minutën e 58-të, dhe që aktivizim pati edhe për Pol Pogbanë që kthehej nga dëmtimi. Fitorja vendase u arrit në sekondat e fundit nga rrjeta e shënuar nga Korej Smith (minuta 90+3), për entuziazmin e publikut vendas. Natyrisht, Kupa e Ligës nuk është objektiv i madh, por vjet Murinjo u mburr që Junajtid e fitoi trofeun.

Sfidanti.al