Historia e vlonjatëve me gjyqtarët është që në kohët e Flamurtarit të madh. I mbushur me emocion teksa flet për këtë çështje, drejtori i Flamurtarit Vangjel Laluci shprehet se po prishet gara. “Nuk është ndonjë problem i madh që të pësosh një humbje, aq më shumë pas 13 ndeshjesh. Është në kufijtë e normales duke parë se si shkoi ndeshja.
Nuk dua të hyj në polemikat e gjykimit, pasi mendimet janë nga më të ndryshme. Në të gjitha televizionet kishte reagim. Nuk është problem se humbi Flamurtari me Laçin, por problem është se kemi një kampionat kombëtar. Më kujtohet një thënie e Kenedit. ‘Mos pyet çfarë bëri atdheu për ty, por pyet çfarë bëre t’i për atdheun’. Këta njerëz çfarë kanë bërë për të rregulluar këtë kampionat? Flasim për vlerat dhe antivlerat. Është prishur gara. Janë boshatisur stadiumet dhe kjo do të thotë mungesë frymëzimi te brezat që vijnë. Ai frymëzim nuk i çon ata te fusha e futbollit. Kjo do të thotë që të kesh më pak futbollistë, më pak cilësi.
Po sjellin një dëm kombëtar. Ne jemi mësuar me këtë histori në jetë. Edhe në kohën e Flamurtarit të madh nuk është shpallur asnjëherë kampion, edhe pse e meritonte pesë herë që të dilte kampion. Mbi të gjitha ka një moral. Teksa kam dëgjuar opinionet në televizionet kombëtare edhe ndihesha mirë. Nuk është problem te çështja e Flamurtarit, problemin e kam te gjykimi në përgjithësi. Ata nuk tallen me kampionatin, por tallen me kombin”, ka thënë mjaft i irrituar Laluci.
Marre nga gazeta Panorama Sport