Sukses me përmbysje për Interin në fushën e Udinezes, dhe afrim me skuadrat e kreut në Serinë A. Gjithsesi, ekipi i drejtuar nga trajneri Pioli pati shumë fat.
Shërimi duket i plotë me këtë trajner.Interi i Stefano Piolit arriti edhe fitoren e katërt radhazi në Serinë A. Zona Champions nuk duket aspak e pamundur, me 5 pikë më pak se Napoli i vendit të tretë.Gjithsesi, nuk ishte aspak e përsosur ndeshja në fushën e Udinezes, edhe pse u fitua 2-1.Milanezët vërtet shënuan dy gola dhe morën tri pikët, por loja ishte thuajse e gjitha për vendasit.Me kaq shumë raste të humbura nga ata, mund të thuhet se Interi pati fat, dhe se trajneri Pioli ka ende përse të shqetësohet.Sidomos në pjesën e parë, miqtë u dukën sikur nuk ishin fare në fushë, kaq e madhe ishte epërsia e Udinezes.
Futbolli mund të jetë shumë mizor, si shpesh herë edhe jeta, dhe kështu ndodhi në stadiumin “Friuli”.Një goli të vetëm të Janktos, iu përgjigj Ivan Perishiç.Mesfushori kroat ishte njeriu që konkretizoi përmbysjen zikaltër , duke qenë autor I të dy golave.Pjesa e dytë dha shpresë se Interi mund të bëhet.Skuadra me emër të madh, por me dështime spektakolare vitet e fundit, tregoi më shumë autoritet dhe ia arriti qëllimit.Nën drejtimin e Piolit tashmë u arrit kuota 33 pikë, diçka që as mund të mendohej disa javë më parë.Edhe pse titulli duket thuajse iluzion, kualifikimi për në Ligën e Kampionëve mund të arrihet.