Lajmet kryesore pas përfundimit të ndeshjes së Serisë A në “San Siro” ishin që “Interi humbi topin e ndeshjes (match-point) për në Champions”, apo që “Ikardi mbeti thatë në “San Siro”, në rikthimin e parë në të”. Gjithsesi, lajmi i vërtetë është që Atalanta konfirmoi veten në stadiumin më të famshëm të Italisë, dhe që krejtësisht meritueshëm hyri në zonën Champions.
Formacioni i qytetit modest të Bergamos, drejtuar nga mjeshtri i të vegjëlve Xhan Piero Gasperini, është me pikë të barabarta me Milanin, nga 52, por me golaverazh më të mirë. Atalanta është skuadra e vetme që i është përgjigjur Juventusit, të paktën në një element të futbollit, në golat e shënuar, pasi të dyja kanë nga 64 të tillë. Në krahasim me bergamaskët, Interi ka vetëm 47 rrjeta në aktiv dhe Milani, 45.
Interi, në të vërtetë, u përpoq të fitonte dhe Ikardi pati dy mundësi, sidomos një në pjesën e parë. Atalanta u duk e kënaqur me barazimin të cilin e mori, ndërsa ndeshjen e parë e pati fituar 4-1, pra ndeshjet direkte i ka në favor. Gasperini dhe Atalanta në Champions do të ishte një ëndërr, por që fare mirë mund të realizohet.
Sfidanti.al