Ajaksi me moral të larta para Juves, merr kreun në Holandë

Nuk ishte e lehtë për skuadrën nga Amsterdami që të thyente “diktaturën” e PSV Ajndhovenit, pavarësisht nga fitorja 3-1 në “Johan Krujf Arena” pak ditë më parë. Gjithsesi, mrekullia ndodhi këtë të diel, edhe pse do të duhen 5 javë të tjera që kampionati holandez të përfundojë.

Fitorja 4-1 e Ajaksit të shtunën në fushën e Vilemit, bashkuar me barazimin 3-3 të PSV-së në fushën e Viteshes, bënë që të dyja skuadrat të jenë me pikë të barabarta, nga 71, në krye të renditjes, por ekipi nga Amsterdami ka golaverazh shumë më të mirë. Ajaksi ka 100 gola të shënuar e 26 të pësuar, Ajndhoveni është në shifrat 87-22.

Edhe në fushën e Vilemit, më i miri për bardhekuqtë ishte organizatori serb, Dushan Tadiç, krijues thuajse të gjithë golave, ndonëse nuk shënoi asnjë.  Autorë ishin Van De Bek, Herkens (autogol), Veltman dhe Zijeç. PSV ndërkaq e pati shumë të vështirë në Arnhem dhe mezi shpëtoi një pikë, duke u ndodhur gjithnjë në dizavantazh. Në minutën e fundit, Hirving Lozano barazoi me penallti për 3-3.

Nëse Ajaksi shpallet kampion, ky do të ishte titulli i parë që nga viti 2014, ndërsa PSV ka dalë tri herë kampion e Fejënordi një herë. Ajaksi ka deri tani 33 tituj. Tashmë, amsterdamasit do shkojnë në ndeshjen ndaj Juventusit në Champions me moral më të lartë.

Sfidanti.al