Klubi italian i futbollit, Fiorentina, prezantoi, këto ditë, projektin për ndërtimin e një stadiumi të ri që do të duhet të përfundojë deri më 2021. Projekti ka një vlerë prej 420 milionë eurosh, ndërkohë që ndërtimi i stadiumit do të nisë më 2019 dhe do të vazhdojë dy vite. Stadiumi i ri i Fiorentinës do të ketë 40 000 vende, kurse tifozët do të jenë larg vetëm shtatë metra nga fusha e lojës. Stadiumi do të ndërtohet në veriperendim të Firencës, ndërkohë që brenda tij do të ketë edhe një qendër tregtare dhe edhe një hotel.
“Ky është një moment historik. Po prezantojmë një projekt të rëndësishëm jo vetëm për Firencën, por edhe për të gjithë Italinë”, vuri në dukje, me këtë rast, pronari i Fiorentinës, Andrea dela Vale, duke shtuar se klubi është i interesuar edhe për investitorë të tjerë për realizimin e këtij projekti. Deri më tani, vetëm tre klube italianë kanë stadiume në pronësi të tyre, Juventusi, Sasuolo dhe Udineze, ndërsa stadium të vetin, në të ardhmen, do të ketë edhe Roma.
sfidanti.al