“Djali plangprishës” mund të largohet sërish nga Juventusi

Nuk është e thënë që të ndryshojë fanelë përsëri, por gjasat ekzistojnë. Kur flitet për Leonardo Bonuçin vështirë të ketë siguri, edhe pse është një “shtyllë” në mbrojtjen e Juventusit, pra duhet të jetë tepër i rëndësishëm për trajnerin e ri, Mauricio Sarri. Lajmet nga Italia janë që Paris SG e kërkon mbrojtësin veteran, ndërsa bardhezinjtë marrin Rabionë po të PSG-së. Natyrisht, dy transferimet nuk kanë lidhje, pasi Rabiosë i ka skaduar kontrata me kampionët e Francës.

Pra, çdo të ndodhë me Bonuçin, njeriun që duket sikur i ka gjithnjë valixhet gati? Nga përvoja e kaluar mund të nxirret përfundimi edhe për “po”, edhe për “jo”. Mbrojtësi u bashkua me Juven në 2010, u kritikua shpesh nga tifozët, por më pas u bë pjesë e BBC-së, së bashku me Barxalin e Kielinin, në një nga mbrojtjet më të forta të botës. Erdhën, më pas, konfliktet me trajnerin Alegri, dhe largimi tek Milani në 2017. Menjëherë u kthye në 2018, por duket se diçka është thyer. Me ardhjen edhe të Matijs De Ligtit, Sarri do të ketë më shumë alternativa në mbrojtje, pra Bonuçi mund të ikë për t’i bërë vend më të rinjve.

Sfidanti.al