Napoli dhe Juventusi janë rivalë të mëdhenj në skenën italiane të futbollit, ndërkohë që udhëheqjet e të dy klubeve, asnjëherë, nuk e kanë fshehur armiqësinë e ndërsjellë që, vitet e fundit, kulmoi edhe për shkak të transferimit të Gonzalo Iguanit dhe luftës së ashpër për titull. Megjithatë, njeriu nr.1 i Napolit, Aurelio De Laurentis, shprehu, dje, mbështetjen e tij ndaj qëndrimit të presidentit të Juventusit, Andrea Anjeli, që kritikoi me forcë kryegjyqtarin e UEFA-s, Pierluixhi Kolina, duke e akuzuar atë se ai, qëllimisht, në ndeshjet evropiane, delegon gjyqtarë që nuk i duan klubet italiane.
“Fjalët që tha Anjeli për Kolinën? Unë jam dakord me të. Kolina nuk më do mua, sepse unë jam një njeri i lirë dhe mund ta them hapur atë që kam në mendje. Ai e ka dëmtuar Napolin, duke e nxjerrë ekipin tonë jashtë konkurrimeve evropiane. Me të vërtetë, nuk e kuptoj sesi një njeri me një të kaluar të tillë profesionale mund të bjerë në një nivel të tillë kaq të ulët. Kam përshtypjen se ka disa lobe ose grupe njerëzish të fuqishëm që në UEFA po e shtyjnë aplikimin e sistemit VAR (Video Asisstent Referee). Ky sistem ka nevojë që të mbështetet dhe unë jam një nga ata që jam në favor të aplikimit të tij në çdo ndeshje dhe nuk e kuptoj se përse ai nuk po përdoret në Evropë”, deklaroi De Laurentis.
Sfidanti.al