Bën si i vështirë ky Donaruma, apo e ka seriozisht atë që thotë?!

Në 2021, kontrata e tij e tanishme me Milanin përfundon dhe ai mund të largohet me parametër zero. Gjithkush po mendonte se Xhixhi Donaruma do të largohej këtë verë nga “San Siro”, pasi klubi italian do të donte të fitonte diçka nga kartoni i tij, por tani, përveç kaosit nga virusi, ka edhe konfuzion nga vetë fjalët e portierit të ri. “Ngjyrat kuqezi kanë domethënie të madhe për mua, – janë fjalët e 21-vjeçarit napolitan, – kjo sepse unë u rrita këtu. Kam qenë gjithnjë një tifoz i Milanit dhe nuk mund të bëj tjetër gjë, përveçse të jap më të mirën për këtë fanelë. Objektivi im i parë është që të realizojmë synimet që i vumë vetes në fillim të sezonit”.

Reali i Madridit, Paris SG dhe Çelsi cilësohen si pretendentë për të marrë Donarumën, ndonëse mund të ketë edhe klube të tjerë të interesuar, ndërsa agjenti i tij Mino Raiola besohet se di ta bëjë mirë detyrën për të realizuar transferimet që dëshiron. Të presim e të shohim se çdo të ndodhë me portierin e cilësuar si “të së ardhmes”, që më parë ka pasur probleme tek Milani, por që tani betohet mbi dashurinë për fanelën e tij.

Sfidanti.al