Kriza e koronavirusit erdhi në kohën më të keqe për Barçën!

Dikur ishte përralla popullore e bariut dhe ujkut, dhe pasi bariu u tall disa herë me fshatarët duke thirrur “ujku, ujku”, kur bisha sulmoi delet me të vërtetë, askush nuk i erdhi në ndihmë. Tek Barcelona, fabula është pak më e ndryshme, por përfundimi i njëjtë. Pasi drejtuesit katalanas e futën klubin në qorrsokak me politikat e tyre, kërkesat që po u bëjnë lojtarëve për ulje rroge, po bien në vesh të shurdhër.

Që nga largimi i Nejmarit, e që nga blerjet e shumta e të shtrenjta të gabuara (Dembele e Kutinjo janë dy shembujt më spektakolarë), për të mbërritur tek konfliktet e brendshme deri tek akuzat në media se drejtuesit paguajnë kompani lobimi për të diskredituar yjet e tyre.

Ka jo vetëm përçarje, por sidomos një mëri të përgjithshme tek skuadra katalanase për njerëzit që mbajnë postet administrative, pra ndaj atyre që kërkojnë t’u bëjnë moral një grupi lojtarësh fitues, ndërsa vetë mund të quhen mediokër. Propozimi ndaj lojtarëve është për 70 për qind ulje rroge, diçka vërtet tepër e madhe, kur mendon se në Gjermani po flitet për 20 për qind, ndërsa diku tjetër për 25-30 për qind. Mendimi i përgjithshëm është se presidenti Bartomeu po bën ankand, pra po kërkon shumë për të detyruar që edhe lojtarët të pranojnë një ulje të madhe, ndonëse më të vogël sesa kjo që i është propozuar.

Sfidanti.al