Karriera “si shkollë nate”, herë po, herë jo, nisi që sezonin e kaluar me Zidanin. Kristiano Ronaldo nuk i luajti të gjitha minutat me Realin në 2017-2018 (vetëm 27 nga 38 ndeshje në La Liga), ndërsa ky “avaz” po vazhdon edhe në Torino. Masimiliano Alegri vendosi ta linte fare në shtëpi për ndeshjen e kësaj jave në Serinë A në fushën e Xhenoas, ndërsa javën e shkuar e uli në stol.
“Nuk mund të rrezikoj, – ishin fjalët e trajnerit juventin, – Ronaldo do të ketë dy ndeshje shumë pranë njëra-tjetrës me kombëtaren e tij, dhe ky është rrezik i madh”. Kristiano u grumbullua për herë të parë në kombëtare që pas Kupës së Botës në Rusi, dhe kjo do të thotë se Juventusi do të ketë më shumë dhimbje koke. Mosha po nis të ndihet edhe më shumë për superyllin, sepse vjet ia doli të shënonte gjithsej 44 gola në 44 ndeshje për Realin, ndërsa këtë sezon deri tani ka vetëm 24 rrjeta në 36 takime, pra me një mësatare shumë më të ulët.
Sfidanti.al