Rinia jo gjithnjë fiton, madje ia del rrallë, por nëse e bën, atëherë quhet një mrekulli. Dikur Sër Aleks Ferguson krijoi në “përzierje” të veteranëve me talentet e rinj si Bekam, Skouls, Bat e vëllezërit Nevil për të fituar titullin kampion në Angli, ndërsa Lysien Favre po përpiqet ta bëjë këtë me Dortmundin në Gjermani. Një ekip me 18-vjeçarin Sanço, 20-vjeçarin Pulishiç, lojtarë 22 apo 23-vjeçarë si Volf, Akanji, Diallo, Vajgl, apo 20-vjeçarë si Zagagu e Brun Larsen po lufton për kurorën e Bundesligës.
Dortmundi triumfoi 3-2 në një ndeshje shumë të vështirë në fushën e Hertës, duke qenë dy herë në humbje, por duke qeshur vërtet në fund, pasi kapiteni Marko Rojs shënoi golin e fitores në minutën e 92-të. Favre hodhi në fushë edhe dy lojtarë fare të rinj si 19-20-vjeçarët Hakimi e Toprak, për të kompletuar mungesën e përvojës së Borusias.
Salomon Kalu shënoi dy golat për Hertën, ndërsa Delanei, Zagadu dhe Rojs ishin autorët e golave për Dortmundin. Me më pak presion tani, pas eleminimit nga Championsi, verdhezinjtë mund të luftojnë pak më lehtë me Bajernin. Ata kanë 60 pikë, ndaj 57 të bavarezëve që luajnë nesër në fushën e Maincit.
Sfidanti.al