Kishte plot 9 sezone që skuadra greke pësonte humbje rregullisht në fushën e CSKA-së së Moskës. Edhe vizita e fundit nuk besohej të përfundonte ndryshe, por skuadra athinjote kishte mendim tjetër. Duke shfrytëzuar në maksimum mungesën e francezit Nando De Kolo për vendasit, grekët triumfuan 78-77, falë një koshi për tri pikë nga Nik Kalathes në sekondat e fundit.
CSKA-ja udhëhoqi në pjesën më të madhe të kohës, madje deri në 7 pikë epërsi dy minuta para fundit, por “Pana” nuk u dorëzua. Edhe pse, klubet e mëdhenj grekë nuk janë në lartësinë e dikurshme, përvoja dhe emri i madh i ndihmon për të realizuar mrekulli të tilla. Tomas shënoi 12 pikë për miqtë, Kalathes e Gist nga 11, ndërsa Papapetru shtoi 10 pikë. Sergio Rodrigez me 23 pikë nuk mjaftoi për rusët, as amerikani Higins me 14.
CSKA-ja mbetet në vend të dytë në renditjen e Euroligës, e kualifikuar për në plej of dhe me avantazhin e ndeshjes vendimtare në shtëpi, ashtu si Fenerbahçe dhe Reali, ndërsa Panathinaikosi është ende jashtë zonës së plej ofit, në vend të 9-të, kur vetëm 8 ekipet e para kualifikohen. Interesant fakti se në vend të 8-të është Olimpiakosi i Pireut.
Sfidanti.al